Share

Vetëm në kryeqytet numërohen mbi 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja apo të mësimdhënies së lëndëve specifike, ndërsa në Durrës, me dhjetëra të tilla. Ky ekspansion i bizneseve të përçimit të dijes tregon për kërkesat në rritje të mësimit të veçuar nga institucionet arsimore. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani.

Dëshira për të ndjekur Universitetin ose për të bërë një master në Gjermani, kalon nga frekuentimi i një kursi gjermanishteje. Janë të shumtë të rinjtë shqiptarë që duan të marrin një edukim universitar jashtë Shqipërisë, ashtu sikurse edhe dëshirat për punësim jashtë kanë qenë në rritje. Universitet italiane janë destinacioni kryesor për studime dhe këtë e tregon fakti se përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të studentëve të huaj në Itali. Afërsia gjeografike dhe lehtësia e gjuhës italiane mendohet të jenë dy nga faktorët kryesorë për këtë zgjidhje.

Ndonëse jo sa në Itali, një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë kanë zgjedhur auditorët e universiteteve gjermane. Por, jo vetëm për studim. Gjermania është shndërruar në vendin më atraktiv për të rinjtë apo dhe grupmosha të tjera edhe për të punuar. Gjermania është një vend i hapur si destinacion emigrimi dhe ka interes për migrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, studentëve dhe shkencëtarëve nga e gjithë bota.


Pse gjermanishtja?

Gjermania për arsye të cilësisë së formimit arsimor dhe tarifave relativisht të ulëta të studimit në krahasim me vendet e tjera perëndimore, mbetet tërheqëse për të rinjtë shqiptarë si një vend, ku mund të kryejnë studimet. Për grupe të ndryshme profesionesh si p.sh. mjekë, infermierë, inxhinierë, informaticienë etj., Gjermania ofron mundësi joshëse punësimi. Në këtë drejtim kërkohen si kusht njohuritë e gjuhës gjermane. Këto arsye të kanë nxitur rritjen e kërkesave për të mësuar gjuhën gjermane. Trendi tregon për një rritje 30% çdo vit.

Një student duhet të ketë aftësi të mira të gjuhës gjermane për të studiuar në një universitet në Gjermani. Aplikuesit e huaj, në rastin konkret shqiptarët, duhet t’i nënshtrohen një testi të gjuhës para se të mund të regjistrohen në një program shkollor. Testet më të pranuara gjerësisht janë TestDaF dhe DSH. Testi TestDaF mund të bëhet edhe në vendet nga vijnë studentët të cilin e organizojnë institutet e licencuara gjermane, ndërsa testi DSH vetëm në Gjermani nga institucionet e universiteteve përkatëse.


Gjuha gjermane si profesion

Sipas të dhënave të ofruara nga Departamenti i Gjuhës Gjermane, pranë Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve bachelor, kuota përfshin 490 studentë për gjuhën gjermane, ndërsa në ciklin e dytë të studimeve master mbi 60 të tillë. Prej më shumë se dy dekadash pranë Departamentit të Gjermanishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, numri i studentëve që zgjedhin këtë degë studimi është në rritje.

Tendenca ndër vite, sipas profesorëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka qenë drejt anglishtes dhe italishtes. Kuotat u shtuan para tre viteve, duke marrë në konsideratë kërkesat në rritje të aplikimeve për gjuhë gjermane. Është e thjeshtë, gjuha gjermane bëhet më shumë në shkolla të mesme, qoftë publike apo private; qendrat e gjuhës janë përhapur me shpejtësi, apo të rinjtë synojnë të punojnë edhe në Gjermani. Të gjitha këto arsye e kanë shndërruar gjuhën gjermane në zgjedhje të mirë si profesion.